Basha ftesë Ramës: Voto amendamentet që kemi paraqitur për SPAK, hiqja bllokadën

Shqipëria

Basha ftesë Ramës: Voto amendamentet që kemi paraqitur për SPAK, hiqja bllokadën

Më: 7 maj 2024 Në ora: 13:26
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të votojë amendamentet e PD për SPAK, vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit për parlamentarët.

Komentet Basha i bëri gjatë një deklarate për mediat, ku tha se nëse PS do të votonte amendamentet e paraqitura nga PD për SPAK, do t’ia hiqte këtij institucioni bllokadën për të luftuar korrupsionin.

Ai tha se përmes këtyre amendamenteve do të krijohet infrastruktura e nevojshme ligjore dhe resurset njerëzore e financiare, në mënyrë që ky institucion të funksionojë më mirë.

“Sot Shqipëria ka rekordet më negative dhe sot kjo është përgjegjësia më e madhe politike që ke ndaj shqiptarëve. Do me të vërtetë të bësh diçka, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë edhe për interesat e tua politike, se për të tjerat nuk besoj se ka shumë shqiptarë që të besojnë më. Atëherë lëri fjalët dhe kalo në vepra. Ligjin për vetingun e politikanëve e ke në Parlament që prej 6 nëntorit.

Eja ta votojmë së bashku. Eja të bëjmë për çdo politikan shqiptar duke nisur nga ty e unë, atë që propozuar për policiët e Shqipërisë, dikur për administratën. Atë për të cilën rrahe gjoksin se e paske zhbërë ti në raport me magjistratët shqiptarë. Eja të vendosim çdo politikan shqiptar në lupën e vetingut, të pasurive personale dhe familjare. Të hetimit të tyre të hollësishëm. Të hetimit të rrethit shoqëror dhe kontakteve të papërshtatshme.

Prej 6 nëntorit ti dhe Lindita jote e mban në sirtar. Eja voto heqjen e imunitetit për mua, për vete dhe për çdo politikan shqiptar. Voto amendamentet tona për SPAK, të cilin sot thuajse na i shpalle si fëmijën tënd.

Hiqja bllokadën e heshtur, darën e rrethimit që ke shpallur në nivele të larta të qeverisjes tënde dhe jepi infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe resurset e nevojshme njerëzore e financiare sipas amendamenteve që kemi paraqitur, që SPAK të mos ketë asnjë pengesë për luftën ndaj korrupsionit”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat